SI PO ZHVILLOHET PROFESIONI I KONTABILITETIT DHE REVIZIONIT NË KOSOVË

2003-06-24 by Xhevat Meha

Refuzuar për botim nga KOHA DITORE DHE ZËRI

 

Profesioni i kontabilitetit dhe revizionit në periudhën e pasluftës është duke u zhvilluar i ndeshur në mes improvizimit në njërën anë dhe kërkesave të tregut për cilësi dhe vlera në anën tjetër.

 

Në pika të shkurtra kronologjia e zhvillimeve në fushën e kontabilitetit dhe të revizionit mund të përmblidhet kësisoi: filloj me qasjet nga ish punëtorët e kontabilitetit dhe revizionit që inicuan themelimin e disa shoqatave për kontabilitet dhe revizion. Pason me ndërhyrjen e UNMIK-ut dhe vendosjen e një kornize të standardeve ndërkombëtare dhe filozofisë perëndimore që profesioni të jetë i pavarur, i ndarë nga kontrolli qeveritar dhe politik. Kohëve të fundit kemi disa lëvizje dhe aktivitete të Ministrisë për Ekonomi dhe Financa që profesioni i kontabilitetit dhe revizionit të futet nën kontrollin e kësaj Ministrie.

 

Shoqëria kosovare po synon që të zhvillohet duke ndërtuar vlera të qëndrueshme që i mundësojnë status më të mirë në intergrimet ndërkombëtare. Zhvillimi i profesionizimit është kusht për realizimin e këtyre synimeve. Më poshtë do ta paraqes përmbledhjen e pikëpamjeve të mija me disa propozime konkrete.

 

Qasjet e para të pasluftës

 

Periudha e pasluftës u karakterizua me ndeshjën e disa qasjeve. Me që vërehej se diçka duhej bërë me krijimin e kushteve dhe rrethanave të reja, u zhvillua një përplasje në mes të përpjekjeve për shfrytëzim të rastit për ndërrim të konjunkturave për avancime përsonale në njëren anë dhe ideve që rrethanat e reja ekonomike dhe zhvillimore dhe të kërkesave për zhvillime cilësore në anën tjeter. Kjo u manifestua me krijimin e më shumë se një shoqate dhe fillimit të diskutimeve se cilat do të ishin ndryshimet cilësore që duhej bërë.

 

Anë pozitive e këtij zhvillimi ishte se u thyen disa barriera psikologjike rreth të qenit e shoqates formalisht si profesinale por në përmbajtje në shërbim të interesave politike. Po ashtu u thye monoplizimi i të menduarit dhe të organizimit profesional.

 

Si dobësi e këtij zhvillimi ishte vrapimi për përfitime rasti që e ngulfati shoshitjen racionale rreth identifikimit të nevojave për ndryshime cilësore. Kjo praktikë çorientoj përpjekjet e mirëfillta dhe që rezultoj me ndërhyrjën e administrates së UNMIK-ut.

 

Qasjet zhvillimore të administratës së UNMIK-ut

 

Meqë ish punëtorët e kontabilitetit dhe revizionit nuk ishin në gjendje që të marrin një rrugë të mirëfilltë të zhvillimit të profesionit të kontabilitetit dhe revizionit, administrata e UNMIK-ut ndërhyn me projekte të ndryshme duke ofruar (në bashkëpunim me donator të ndryshëm) fonde dhe ekspertizë të kësaj fushe.

 

Së pari Autoriteti Qëndror Fiscal (“AQF”) filloj me një projekt për kontabilitet i cili bëri përcatimin e nevojave zhvillimore të profesionit të kontabilitetit dhe revizionit, zhvilloj diskutime për aplikimin e standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit, nxjerri ekstraktet e 19 standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit që i emëroj si Standarde Kosovare të Kontabilitetit, nxjerri kornizën ligjore (rregulloret) të kontabilitetit dhe revizionit, bëri marrëveshje me dy donatorë të mëdhenjë për financimin e zhvillimit të profesionit të kontabilitetit dhe revizionit, inicoj themelimin e një shoqate të re dhe e regjistroj si Organizatë Jo Çeveritare dhe themeloj Bordin Kosovar për Standardet e Raportimit Financiar (“BKSRF”) si intitucion i pavarur, organi më i lartë profesional për kontabilitet dhe revizion me rol rregulativ dhe mbikëqyrës.

 

Ky projekt i AQF-së bëri disa punë të mira. Që në fillim bëri identifikimin e nevojave zhvillimore të profesionit të kontabilitetit dhe revizionit që i përcaktoj të jenë të një niveli që do t’u përgjigjën kërkesave të ekonomisë së zhvilluar të tregut. Në këtë mënyrë, filloj me zbatimin e Standardëve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të një verzioni të thjeshtësuar. Po ashtu vuri kornizat e një organizimi profesional në përputhje me parimet e organizimit profesional të vendeve të zhvilluara. Ky organizim u kurorëzua me themellimin e Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Revizorëve të Kosovës (“SHKÇAK”) dhe themelimin e BKSRF si institucion i pavarur profesional. Ky orientim është bazë e shëndosh për një zhvillim cilësor të profesionit të kontabilitetit dhe revizionit në Kosovë.

 

Orientimi i projektit për kontabilitet i AQF-së për thjeshtësimin e standardëve ndërkombëtare kishte arësyet e veta që bazoheshin në vlerësimin së nivelit të njohjes së këtyre standardeve nga kontabilistët kosovar. Ky nivel është i ultë për të bërë zbatimin e drejtpërdrejtë të standardeve ndërkombëtare. Ky thjeshtësim i standardëve çoj në vështirësin e kuptimit dhe interpretimit të tyre. Kur kësaj t’i shtohet cilësia e përkthimit, të gjithë kontabilistat e Kosovës e kuptojnë se çfarë dua t’them. Është detyrë parësore që BKSRF të përgaditet sa më shpejt për zbatimin e plotë të këtyre standardeve ndërkombëtare.

 

Megjithë punën e mirë që bëri ky projekt, disa dobësi që u manifestuan qysh në fillim të punës, në etapat e mëvonshme të zhvillimit rritën efektin e tyre për të rezultuar në ç’orientimin e synimeve fillestare. Marrja në punë e njerëzve në saje të njohjës së gjuhës angleze bëri që në këto procese zhvillimore të kyçen njerëz jo profesionist dhe që profesionistet të lihen anash. Kjo u manifestua me punë të dobët profesionale që më teper karakterizohej me improvizim dhe sharlatanizëm se sa një punë e mirëfilltë.

 

Një karakteristikë e personelit të administratës së UNMIK-ut që më ka ra në sy si dukuri përcjellëse është se gjenerata e parë e pas luftës e të ardhurve në Kosovë ishin ekspert të lartë dhe të respektueshëm. Çdo zëvendësim me të ardhurit e rinj sillte individ më të dobët profesioalisht dhe burokrat të llojit të njëjtë me burokratët tanë. Në këto zhvillime, kjo u manifestua me inicimin e formimit të SHKÇAK me njerëz joprofesionist të cilët ishin kyçyr më herët në këtë zhvillim me synim që në këtë mënyrë të kenë kontroll të plotë të këtij procesi zhvillimor. Me krijimin e këtyre lidhjeve, ndërkombëtarët mund të mbulonin punën e dobët të tyre pa u hetuar nga të tjeret gjerë në përfundimin mandatit të tyre.

 

Formimi dhe puna e SHKÇAK-ut

 

Nën rrethanat e përmendura më lartë, të kyçurit në zhvillimin e profesionit të kontabilitetit dhe revizionit së bashku me dy përfaqësues të njërit nga donatorët përbëjnë bërthamën për krijimin e shoqatës. Rreth vetës tubuan kryesisht shokët apo përsona që i njihnin apo që kishin ndonjë lidhje, pa përdorur ndonjë kriter profesional. Në këtë mënyrë u tubuan gjithësej 13 themelues. Këta themelues në tetor të vitit 2001 zgjedhin Këshillin e Shoqatës prej 5 anëtarësh si organ vendimmarrës dhe Kryetarin si organ ekzekutiv. Dy prej anëtarëve të këtij Këshilli njëri i cili ishte edhe Kryetar më vonë u kapën në mashtrime të rënda dhe një tjeter ishte pa diplomë fakulteti.

 

Aktivizimi i punës së shoqatës bëhet në nëntor të vitit 2001 me marrëveshjën e dy donatorëve për të ndihmuar punën e shoqatës. Me marrëveshje përcaktohet që aktivitetet e shoqatës të kordinohet dhe të zhvillohen bashkarisht ku USAID merr përsipër trajnimet dhe Banka Botërore çëshjtet tekniko-profesionale dhe administrative.

 

Në nëntor të vitit 2001 formohet grupi prej 4 ekspertesh: dy nga Banka Botërore dhe dy nga Kosova Business Support (“KBS”) që është një projekt i financuar nga UASID. Roli i këtij grupi ishte ai i të qënit këshillues. Vendimet për punët e shoqatës ishin për t’u marrë nga Këshilli. Ky grup ekspertesh përcakton punën dhe aktivitetet e përbashkëta me detyrë parësore që të përcaktohet modeli i certifikimit dhe të bëhet përgaditja e planprogrameve mësimore.

 

Puna e këtij grupi filloj me dallime profesionale në mes të ekspertëve të Bankës Botërore dhe atyre të KBS-it. Ekspertët nga KBS dolën me propozimin që të jenë 5 provime për t’u certifikuar si kontabilist dhe vetem pas tregimit nga ana e ekspertëve të Bankës Botërore të kërkesave të Rregullorës 2001/30, u pajtuan që numri i provimeve të jetë 9. Njëri nga ekspertët e Bankës Botërore (autori) propozon një strukturim tjetër dhe më të balancuar të modelit të certifikimit me gjithësej 10 provime por që përfshinte dy lëndë ma tepër se sa modeli që u pajtua dhe që Këshilli vendosi ta zbatoj (të interesuarit mund ta marrin kopje të këtij modeli nga autori).

 

Ky grup caktoj mbledhjen kah mesi i janarit të vitit 2002 për të biseduar në lidhje me planprogramet mësimore, mbledhje e cila kurrë nuk u mbajt. Pas kësaj, ekspertët (apo eksperti sepse ndërkohë njëri ndërpren punën) e KBS-it mbajnë mbledhje dhe marrin vendime ndaras me Këshillin. Këshilli aprovon planprogramin nga eksperti i KBS-it, planprogram që ishte i papërgaditur dhe që nuk u prezentua në mbledhjen e Këshillit në të cilën u mor vendimi.

 

Puna e shoqatës vazhdoj me marrjen përsipër të KBS për përpilimin e planprogrameve mësimore, përgaditjes së trajnuesve, teksteve mësimore dhe punëve të tjera të lidhura me trajnimet për kontabilist të certifikuar përfshirë cilësinë e tyre pa konsultim me ekspertët e Bankës Botërore. Të gjitha propozimet e bëra nga KBS për çështjet tekniko-profesionale, Këshilli i miratonte në mënyrë të menjëhershme. Sygjerimet tekniko-profesionale të bëra nga ekspertët e Bankës Botërore nuk përfillëshin nga Këshilli i shoqatës.

 

Në pranverë të vitit 2002, shoqata filloj me kurset e para të trajnimit. Këto kurse, filluan pa përgaditjet profesional të planprogromave mësimore, ligjëruesve dhe teksteve mësimore. Ky nivel cilësie ishte i ultë, larg nivelit të synuar fillimisht nga projekti për kontabilitet i AQF-së, më dobët se kushtet objektivisht reale për zhvillim profesional në Kosovë si dhe larg kërkesave të një ekonomie tregu për kontabilist dhe revizor. Këto standarde pune ishin nën minimumin e standardëve të punës që për autorin janë të pranueshme kështu që pasohet dorëheqja në qershor të vitit 2002.

 

Kjo shoqatë deri më tani ka organizuar një varg kursesh trajnimi dhe provimesh. Kërkesa e njërit nga përgjegjësit e financuesit të këtyre trajnimeve që për festen e kërshendellave të dalin kontabilistët e parë të certifikuar u përmbush. Kjo sa për ta bërë raportin e tij të duket si i suksesëshem për punën e mandatit të tij por se po kuptohet se në dëm të cilësësë.

 

Formimi dhe puna e BKSRF-së

 

BKSRF-ja formohet në bazë të Rregullores 2001/30 në nëntor të vitit 2001 me 5 anëtar vendor dhe dy ndërkombëtar që ishin njëri përfaqësues i AQF-së dhe tjetri i BPK-së. Anëtarët vendor përzgjedhen në bazë të një konkursi të shpallur në gazetë ndërsa ndërkombëtarët janë të propozuarit nga institucionet e tyre. Emërimi i tyre u bë nga Kryeadministratori i atëhershëm Hans Hakerup.

 

Ky Bord u projektua që të jetë institucioni më i lartë profesional dhe adiministrativ për kontabilitet dhe revizion në Kosovë. Ky institucion u konsiderua të jetë i pavarur edhe pse emërimi u bë nga kryeadministratori dhe në të vërtët ka qenë i pavarur në aspektet tjera. Synimi që shoqëria kosovare në rrugën për ndërtim të shoqërisë civile të ketë zhvillim të profesionit si i pavarur ishte i arsyeshëm dhe formimi i këtij Bordi shkonte drejt këtyre synimeve.

 

Detyrat e këtij Bordi ishin përcaktuar të jenë përgjegjëgjësitë për standardet e raportimit financiar në Kosovë. Kjo nënkupton: adaptimin dhe zbatimin e standardëve ndërkombëtare të kontabilitetit, zbatimin e standardeve ndërkombëtare të revizionit, zbatimin e Kodit Etikë të Federatës Ndërkombtare të Kontabilistëve, standardet për trajnimin dhe kualifikimin e kontabilistëve dhe revizorëve, licencimin e revizorëve për punë revizioni në Kosovë dhe mbikëqyrjen e punës së shoqatave profesionale të kontabilistëve apo revizorëve.

 

Ky Bord, ka bërë disa aktivitete dhe ka kryer disa punë. Ka marrë përgjegjësinë e Standardeve Kosovare të Kontabilitetit të lëshuara më parë nga AQF-ja, ka lëshuar disa Instrukcione Administrative, ka bërë trajnimin dhe licencimin e revizorëve të parë në Kosovë.

 

Të qënit e Bordit si institucion i pavarur është një orientim i drejt. Megjithatë puna e këtij Bordi është e karakterizuar me disa dobësi. Programi i i trajnimit të revizorëve të parë të Kosovës ishte shumë i dobët. Të mësohen Standardet Ndërkombëtare të Revizionit me Kodin Etik të Federatës Ndërkombtare të Kontabilistëve së bashku me disa elemente të tjera mësimore me një kurs 40 orësh në një kohëzgjatje prej dy javësh dhe me testim në një afat të pas një jave që është një iluzion i thjesht. Ky Bord në licencimin e revizorëve të huaj, ka bërë shkeljën e Rregullorës 2001/30 që është e vetmja rregullore interpretimi i së cilës ekskluzivisht bënë kornizën e punës së vet Bordit. Përveç këtyre, ekziston një lidhje e drejtëpërdrejtë interesi në mes të Bordit si institucion mbikëqyrës dhe SHKÇAK si institucion i mbikëqyrur.

 

Esenca e dobësive të punës së Bordit qëndron në atë se anëtar të Bordit janë përzgjedhur individ që nuk kan nivelin e duhur të njohjës profesionale të kërkesave që dalin nga roli dhe përgjegjësit e Bordit. Kjo është provuar që të kompenzohet me caktimin e një eksperti ndërkombëtar që merrë persipër ndihmën tekniko-profesionale. Kjo ndihmë tekniko-profesinale ishte shumë e dobishme mirëpo ky rol është ai i këshilldhënësit, vendimet merren nga vet anëtarët e Bordit.

 

Zhvillime profesionale nga institucione tjera

 

Përveç formave dhe institucioneve të cekura më lartë, në Kosovë në periudhën e pasluftës pati edhe zhvillime tjera të profesionit të kontabilitetit dhe revizionit. Këto zhvillime kryesisht janë të një karakteri me shtrirje të kufizuar.

 

Një numër i caktuar i organizatave joqeveritare, me ndihmen e donatorëve të ndryshëm, kanë organizuar kurse trajnimi të kontabilitetit. Këto kurse kryesisht ishin të orientuara në zhvillimin e njohjës elementare të koncepteve dhe të parimeve të standardëve ndërkombtare të kontabilitetit.

 

Në kuadër të Ministrisë për Ekonomi dhe Financa ekziston departmenti për revizion të brendshëm që përfshinë revizionin e të gjitha shpenzimeve që bëhen nga Buxheti i Kosovës. Ky revizion është i varur dhe zhvillohet në bazë të parimeve tjera prej parimeve mbi të cilat zhvillohet revizioni i pavarur. Një prej parimeve themelore mbi të cilin bëhet revizioni i pavarur është pavarësia që nënkupton mosekzistimin e asnjëlloj lidhjeje interesi në mes të revizorit dhe klientit. Ky parim nuk ekziston tek revizioni i varur.

 

Fakulteti Ekonomik ka në planprogramin mësimor të tyre lëndët e kontabilitetit dhe revizionit mirëpo këto nuk plotësojnë standardet e trajnimit profesional. Në kuadër të projektit të Bankës Botërore për kontabilitet në Kosovë kanë ekzistuar fonde dhe angazhime për ndryshime në kuadër të fakultetit në mënyrë që fakulteti të shndërrohet në qendër të trajnimit profesional. Në fillim të vitit 2002 unë pata disa angazhime në kuadër të këtij projekti, bile patëm edhe disa takime pune por se Fakulteti Ekonomik dëshmoj se nuk ishte i përgaditur për t’i bërë ndryshimet e nevojshme.

 

Qasja zhvillimore e Ministrisë për Ekonomi dhe Financa

 

Jam në dijeni se kohëve të fundit Ministria për Ekonomi dhe Financa (“MEF”) është duke bërë përpjekje për krijimin e institucioneve të reja për punë kontabiliteti dhe revizioni që do të kontrolloheshin nga vet Ministria. Nuk kam patur ndonjë diskutim me njerëzit përgjegjës për këto punë brenda Ministrisë por besoj se kjo mund të bëhet për dy arësye: i) Të ndjehurit përgjegjës për këto zhvillime; dhe ii) Tendenca për shtrirje kontrolli.

 

Të ndjehurit përgjegjës – MEF ka mandatin qeverisës për ekonominë dhe financat në territorin e Kosovës. Punët e kontabilitetit dhe revizionit janë të varura drejtpërdrejt nga standardët e raportimit financiar kështu që preokupimi i MEF-it për këto standarde është kryerje e detyrës së tyre mandatore. Edhe unë si profesionist i kësaj lëmie kam shqetsime të njëjta për këto standarde nga prizmi i punës sime profesionale. Ajo që duket se na dallon është përcaktimi i rrugës për një zhvillim më të mirë.

 

Nëse shikojmë të kaluarën dhe përvojat e të tjerëve, profesioni i kontabilitetit dhe revizionit është zhvilluar dukshëm më mirë në vendet ku profesionistëve iu kanë lënë duart e lira. Shembull për ketë janë vendet perëndimore ku Mbretëria e Bashkuar, vend në të cilin kam punuar dhe studiuar për shumë vite, njihet si superfuqi profesionale. Në anën tjetër si shembull i një niveli të ultë të këtij profesioni janë vendet ku profesioni është kontrolluar nga organe dhe institucione shtetërore siçë janë vendet e Europës Lindore.

 

Kyçja e MEF-it në zhvillimet profesinale dhe përcaktimit të stadardeve të raportimit financiar është shumë i domosdoshëm. Me rëndësi është gjetja e formës më të mirë për një angazhim të tillë.

 

Tendenca për shtrirje kontrolli – Nëse MEF-i ka një tendencë të tillë, kjo është e dëmshme për zhvillimin e këtij profesioni.Vet përvoja e jonë e kaluar duhet të na mjaftoj që të kuptojmë këtë dëm. Si pasojë e një rregullimi të tillë, në Kosovën e pasluftës u desht që zhvillimi i këtij profesioni të filloj nga zeroja.

 

Propozimi për zhvillime të mëtejme profesionale

 

Për të patur një bazë më të mirë për propozim të caktuar, është e nevojshme të bëjmë një vështrim të dobësive të shfaqura në qasjet deritanishme. E përbashkëta e dobësive mund të përmblidhet me këto karakteristika: i) përpjekjet për të krijuar diçka që u përgjigjen kërkesave të një shoqërie ekonomikisht të zhvilluar janë ngulfatur nga dominimi i luftës për përfitime nga rasti i krijuar për shkak të rrethanave të reja; ii) ekzistimi i grupeve jo formale të lidhura në baza interesi me angazhime për futjën nën kontroll të tërë zhvillimit; iii) përdorimi i aspekteve formale të organizimin për realizimin e agjendes së lidhjeve jo formale; iv) realizimi i interesave personale të individit në dëm të interesave të formës së caktuar të organizimit; etj.

 

Megjithë dobësitë e elaboruara më lartë që nuk janë të vetmet, diçka që mund të vlerësohet si pozitive është zhvilluar në katër vitet e pasluftës. Synimet fillestare të projektit për kontabilitet të AQF-së ishin të mira dhe përputhet me synimet e shoqërisë kosovare. Në atë drejtim duhet të bëhet zhvillimi edhe në të ardhmen. Dobësitë e shfaqura qoftë të elaboruara më lartë qoftë tjera duhet të njihen dhe të eliminohen.

 

BKSRF-ja për të arsyetuar rolin e vet, duhet që për anëtarë të ketë individ me përgaditje profesionale më të lartë se sa anëtarët ekzistues. Tani që kemi individ që kanë kaluar nëpër procesin e trajnimit dhe të testimit profesional, sado i ultë që të jetë ky nivel, është një bazë e mirë për të bërë këto zgjidhje kadrovike.

 

SHKÇAK-u do ishte mirë nëse ka shfrytëzuar rastin e konferences vjetore që punën e shoqatës ta kaloj nga duart e individëve të tubuar në bazë të miqësisë tek anëtarët që kanë kaluar nëpër procesin e trajnimit dhe testimit profesional sado i ultë që të jetë ai nivel. Mbetem me shpresë se një zhvillim i tillë pozitiv ka ndodhur.

 

MEF-i dhe Fakulteti Ekonomik duhet gjithësesi të kyçen në zhvillimet profesionale të kontabilitetit dhe të revizionit. MEF-it edhe ashtu i takon propozimi i një anëtari të Bordit. Kur është fjala për kyçjen e këtyre dy institucioneve, kam menduar për formimin e një organizmi të ri që do t’i bashkangjitej këtyre ekzistuese. Fjala është për një Forum të Kontabilistëve dhe Revizorëve të Kosovës që do të ishte një institucion me aktivitet kryesor mundësimin e shprehjes së lirë të mendimit nga ana e profesionistëve.

 

Profesioni është profesion vetem kur faktet dhe argumentet ballafaqohen më ç’rast përfundimi nxjerret në saje të peshimit të këtyre fakteve dhe argumenteve. Çdo gjë që nuk është e bazuar në fakte dhe argumente është jo profesionale. Profesioni nuk njeh demokraci. Në profesion çështja është a dinë një punë apo nuk dinë. A e ke mirë apo nuk e ke mirë. Përparësia qëndron tek ai që e ka mirë, që e di një çështje e jo tek shumica. Më i vlefëshëm është një që e ka mire se sa të gjithë të tjerët.

 

Forumi i Kontabilistëve dhe Revizorëve të Kosovës do të kishte anëtarësim të hapët. Forumi do të zbatonte format ma të përshtatshme të diskutimit për të gjitha çështjet që e preokupojn profesionin. Nga këto dikutime do të nxirrëshim përfundime që nuk do të kishin karakter obligativ por konsultativ si rezultat i shprehjes së lirë të mendimit. Këto përfundime apo konkluza do të kishin rol korrigjues të punës së BKSRF-së, SHKÇAK-ut dhe Kryeadministratorit apo Kryetarit të shtetit.

 

Një formë e mirëfilltë dikutimi nuk është zbatuar (me disa perjashtime të projektit për kontabilitet të AQF-së) as nga qasjet e para të pasluftës, as nga SHKÇAK-u as nga BKSRF-ja dhe as nga MEF-i tani në kohën e fundit. Kjo formë organizative do të ndihmonte në çbllokimin e zhvillimeve që ka qenë dukuri përcjellëse si pasojë e dobësive të cekura më lartë të të gjitha qasjeve të deritanishme.

 

Një gjë duhet patur parasysh në lidhje me zhvillimin e profesionit të kontabilitetit dhe të revizionit se ekzistojnë vetëm dy rrugë zhvillimore: i) Përmes kontrollit të klaneve dhe grupeve joformale; dhe ii) Përmes kontrollit qeveritar dhe politikës. Rrugë të tretë edhe për shumë vjet që vijnë nuk do të ketë. Rruga e parë është më e mirë sepse ekzistimi i klaneve është më jetëshkurtër, klanet janë më pak të fuqishme se sa qeveritë dhe politika dhe se më lehtë është të bëhen ndryshime klanesh se sa ndryshime qeveritare dhe politike.

 

(Autori është kontabilist i certifikuar i Mbretërisë së Bashkuar dhe themelues i firmës Luani Sha, një shtëpi vendore për revizion, konsulencë afariste dhe kontabilitet)

 

Prishtinë

Qershor 2003

Go back